Fatjon Cuka
07 Mars 2017•Përditësim: 07 Mars 2017
TIRANË (AA) - Sot në Shqipëri me disa aktivitete në të gjithë vendin është shënuar Dita e Mësuesit, e cila lidhet me 130-vjetorin e Mësonjëtores së parë shqipe në qytetin e Korçës, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindia Nikolla, kanë zgjedhur qytetin e Korçës për shënimin e kësaj dite, qytet nga është edhe origjina e Ditës së Mësuesit.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka vizituar shkollën "Kosova" në kryeqytet, ku kanë filluar punimet për zgjerimin e saj. "Si fillim do të ndërtojmë shkollën 'Kosova', e cila do të jetë tre herë me e madhe se sa është. Do të ndërtojmë në të gjithë Tiranën 20 shkolla, ku disa shkolla kanë filluar", u shpreh Veliaj në fjalën e tij gjatë aktivitetit.
Ndërsa ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ishte në Durrës, në Shkollën Profesionale "Beqir Çela", nga ku ka uruar të gjithë arsimtarët për festën e 7 Marsit.
Ministri Klosi deklaroi gjatë aktivitete të organizuar në Durrës, se misioni i mësuesve të arsimit profesional është disa fish më i vështirë, pasi sipas tij nuk janë vetëm për edukimin, por edhe për aftësimin e nxënësve për tregun e punës.