Saimir Alija
25 Janar 2018•Përditësim: 26 Janar 2018
TIRANË (AA) - Nën kujdesin e Kryeministrisë së Shqipërisë, sot në Tiranë u organizua konferenca me temë “Formimi i të Ardhmes së Ballkanit Perëndimor", në të cilën u diskutua për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në kuadër të procesit të Berlinit, raporton Anadolu Agency (AA).
Konferenca kishte në fokus bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e teknologjisë së informacionit dhe në fusha të tjera në kuadër të procesit të Berlinit, si një proces që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin Koordinatorja Kombëtare në Shqipëri për Zonën Ekonomike Rajonale, Milena Harito, përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.
Në fjalën e saj, Harito theksoi se bashkëpunimi rajonal është pjesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).
“Bashkëpunimi rajonal bëhet në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe në kuadër të marrëveshjeve që Shqipëria ka për procesin e integrimit evropian. Sot jemi këtu për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Këtë shtyllë të bashkëpunimit rajonal e ka propozuar Shqipëria, pasi kjo shtyllë nuk ishte fillimisht pjesë e procesit të Berlinit", tha Harito.
Shtylla dixhitale, shtoi ajo, është bërë pjesë e plotë e planit të zonës ekonomike rajonale, ndërkohë që, siç theksoi, Shqipëria ishte iniciatore e këtij procesi dhe dëshiron të vazhdojë të mbajë lidershipin në këtë proces.
"Në prill në Shkup do të zhvillohet një samit rajonal për sektorin dixhital në nivel shumë të lartë me pjesëmarrjen e kryeministrave, por mendohet edhe drejtues shtetesh nga BE-ja dhe në këtë samit të rajonit ne duam të tregojmë praktikat më të mira të qeverisë”, tha Harito.
Ndërkaq, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Dorina Cinari, tha se shtylla dixhitale vlerësohet si një nga katër komponentët më të rëndësishëm për zhvillimit ekonomik dhe social të Shqipërisë dhe rajonit.
“Shqipëria ka bërë avancime vitet e fundit në implementimin e axhendës dixhitale, kjo në sajë të politikave, natyrisht, investimeve të sektorit privat dhe dixhitalizimit të infrastrukturës në administratën publike dhe zhvillimin e shërbimeve. Kemi rritje të përdorimit të internetit, rritje të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit nga biznesi", tha Cinari.
Sipas Cinarit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka qenë edhe më herët e përfshirë në procesin e Berlinit me projektet e konektivitetit në fushën e energjisë dhe transportit, duke shtuar se konektiviteti dixhital do të jetë pjesë e zhvillimit rajonal dhe pjesë e kontributit të iniciativës së Shqipërisë.