Agim Sulaj
30 Nëntor 2022•Përditësim: 30 Nëntor 2022
Është hapur në Prishtinë edicioni i shtatë i Panairit Kombëtar të Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë 2022, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky panair i cili sjell mundësi të shumta zhvillimi karriere për studentë dhe të diplomuar ofron mundësi eksplorimi të vendeve të lira të punës dhe mundësi tjera që do të prezantohen nga rreth 200 kompani dhe institucione pjesëmarrëse.
Panairi po organizohet nga Qeveria e Kosovës, Agjencia e Punësimit në Republikën e Kosovës, Qeveria Gjermane së bashku me Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina".
Ministrja e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se Kosova e ka potencial kryesor rininë dhe me këtë potencial mund të arrijë shumë për zhvillim dhe transformim të industrisë dhe stabilitet të Kosovës.
Ajo tha se atë që sot e ka Kosova në shkollat e saj është e ardhmja e ekonomisë në të ardhmen prandaj vëmendje e lartë duhet t’i kushtohet arsimit dhe aftësimit profesional por edhe karrierës së të rinjve.
"Mungon më shumë arsimi dhe aftësimi profeisonal. Industritë tona kanë nevojë më shumë për përafrim të kualifikimeve për nevojën e industrisë dhe gjersa po analizojmë shumë sektorë të industrisë ne shohim se Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm për aftësinë e prodhimit në sektorët e drurit, në plastikë, në tekstil, në sektorët minerarë (metalik dhe jometalik) dhe në teknologji që është e rëndësishme për digjitalizimin e bizneseve tona", theksoi Hajdari.
Hajdari tha se vizioni i Ministrisë që udhëheqë është që synohet transformimi i industrisë së vendit në industri më të integruar globalisht.
Rektori i Universitetit të Prishtinës (UP) "Hasan Prishtina", Qerim Qerimi tha se dëshirojnë që studentët e UP-së të përmirësohen vazhdimisht dhe të shkëlqejnë kudo që janë.
Ai tha se UP ka nevojë të përhershme për përditësim, duke ndjekur trendin botëror në kurrikula studimore dhe në pajtueshmëri me kërkesat e tregut të punës.
"Kam bindjen e thellë se ky ushtrim i sotëm, ky aktivitet do t'u hapë dyert shumë të rinjve e të rejave për depërtim në zhvillimin e tyre personal dhe profesional. Kjo ngjarje si e tillë i shërben edhe vetë UP-së për vlerësim të nevojave nga ana e tij për profesione të reja të cilat me zhvillimin teknologjik po ndryshojnë e transformohen dita-ditës", theksoi Qerimi.
Bizneset në këtë panair janë të ndara në tri pavijone. Në Pavijonin e Punësimit, i projektuar për punëkërkuesit që të eksplorojnë mundësitë për zhvillimin e karrierës. Pavijonin e Karrierës, i projektuar për studentët në kërkim të mundësive akademike, trajnimeve, bursave, studimeve ose punës praktike dhe Pavijoni i Ndërmarrësisë, i projektuar për organizatat e anëtarësimit të biznesit dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për të shkëmbyer qasje praktike dhe inovatore për rritje ekonomike.