Fatjon Cuka
06 Qershor 2019•Përditësim: 07 Qershor 2019
Nënkryetari i Parlamentit të Polonisë, Ryszard Terlecki, po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërsa është takuar me zyrtarë të lartë të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u takua sot me delegacionin e Parlamentit të Polonisë, të kryesuar nga Terlecki, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështje të tjera.
Kryeparlamenatri Ruçi ka kërkuar gjatë takimit mbështetjen e Polonisë për kandidaturën e Shqipërisë për anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitet 2022-2023 si dhe për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat dhe organizatat ndërkombëtare, theksohet në njoftimin nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Shqipëria dhe Polonia kanë një miqësi të hershme e bashkëpunim tradicional dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë ardhur duke u fuqizuar. Por ato mund të shkojnë më tej sidomos në fushat e ekonomisë, mbrojtjes e sigurisë, turizmit, arsimit, bashkëpunimit policor, infrastrukturës, transportit, teknologjisë së informacionit, bujqësisë, burimeve natyrore, energjisë elektrike dhe të rinovueshme, hidrokarbureve dhe rrjetit hekurudhor”, ka theksuar Ruçi gjatë takimit.
Ndërsa Terlecki ka theksuar se delegacioni parlamentar polak ka ardhur në Shqipëri për t’i dhënë një mbështetje të hapur procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe sipas tij për të nxitur Këshillin Evropian të hapë menjëherë negociatat me Shqipërinë.
"Sejmi dhe Qeveria e Polonisë kanë mbështetjen e të gjitha grupimeve politike për mbështetjen e politikave të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Zgjerimi i Evropës duhet të zhvillohet paralel, madje edhe si prioritet para forcimit të BE-së. 27 eurodeputetët polakë do të kërkojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë që në mbledhjen e parë të Parlamentit Evropian”, është shprehur zyrtari polak.
Theksohet se Ruçi dhe Terlecki biseduan edhe mbi forcimin e bashkëpunimit parlamentar midis dy vendeve, intensifikimin e shkëmbimeve të përvojave midis komisioneve parlamentare, si dhe mbi rolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.