Fatjon Cuka
30 Gusht 2021•Përditësim: 31 Gusht 2021
Në Shqipëri kanë mbërritur edhe 150 shtetas të tjerë afganë, me dy fluturime të ndryshme, të cilët pas kontrolleve janë akomoduar në Tiranë dhe Durrës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qytetarët afganë mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës "Nënë Tereza", ndërsa u pritën nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Shqipërisë.
Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, 103 nga afganët që mbërritën me fluturimet e fundit janë akomoduar në Qytetin Studenti në Tiranë dhe 47 të tjerë në hotel në Durrës
Avioni i parë me shtetas afganë mbërriti në Shqipëri më 27 gusht dhe deri tani kanë mbërritur gjithsej 607 afganë, mes të cilëve aktiviste të shoqërisë civile, pedagogë, punonjës institucionesh dhe gazetarë.
Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4.000 afganë përkohësisht, teksa përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Strehimi i tyre vjen pas kërkesës nga qeveria amerikane ndaj Shqipërisë që të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, që destinacion të fundit kanë SHBA-në.