Ekip
18 Maj 2016•Përditësim: 18 Maj 2016
BASEL (AA) - Unioni i Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA), në shtator të këtij viti do të zgjedhë pasuesin e Michel Platinit, ish-presidentit të pezulluar për shkak të skandalit të korrupsionit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Disa zyrtarë, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, në mesin e të cilëve Wolfgang Niersbach dhe Allan Hansen, kanë konfirmuar se 55 federatat kombëtare më 13 dhe 14 shtator në Athinë do të vendosin për presidentin e ri të UEFA-s.
Për këtë post, janë të interesuar edhe nënkryetarët aktual të UEFA-s, Angel Maria Villar nga Spanja dhe Michael van Praag nga Holanda si dhe Alexander Ceferin, presidenti i Federatës së Futbollit të Sllovenisë.
UEFA është pa president që nga tetori i vitit të kaluar, kur Komisioni i Etikës në FIFA pati pezulluar Platinin për tetë vjet, ndërsa më pas Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në fillim të këtij muaji uli dënimin në katër vjet duke e ndaluar të merret me aktivitete e botës së futbollit.
Platini në kuadër të hetimeve për skandalin e korrupsionit është pezulluar së bashku me ish-presidentin FIFA-s, Sepp Blatter. Që të dy janë nën hetime për pagesën e diskutueshme prej dy milion franga zvicerane të cilat Blatter në vitin 2011 ia kishte paguar Platinit për "punën e bërë më herët."
Platini dhe Blatter në paraqitjet e shpeshta në media kanë mohuar akuzat.