Gökhan Kurtaran
04 Prill 2016•Përditësim: 05 Prill 2016
LONDËR (AA) – Administrata Tatimore e Britanisë së Madhe (HMRC) ka kërkuar nga Konzorciumi Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ) t'i lejojnë qasje në dokumentet sekrete "Dosja Panama" për të kryer hetime për akuzat e pastrimit të parave dhe evazionit fiskal nëpërmjet kompanive të huaja në Panama, raporton Anadolu Agency (AA ).
Njëra nga udhëheqëset e Administratës Tatimore britanike, Jennie Granger për BBC-në ka thënë se kjo Administratë është e vendosur të hedhë dritë mbi të gjitha përpjekjet dhe të ndëshkojë të gjithë ata që janë përgjegjës për mashtrim dhe shpërdorim të detyrës.
Ajo shtoi se Administrata edhe më parë kishte disa njohuri se përmes kompanive 'offshore' janë shmangur pagesat e taksave dhe se rasti i fundit është zbulimi i 11.5 milionë dokumenteve sekrete të kompanisë Mossack Fonseca nga Panamaja, e cila u ka asistuar një numri të udhëheqësve të botës në pastrimin e parave dhe shmangien pagimit të taksave.
"Nga ICIJ kemi kërkuar që të na japin dokumentet e zbuluara nga Panama dhe ne do ti hetojmë ato në detaje. Bazuar në rezultatet e hetimit, ne do të reagojmë në mënyrë efektive. Mesazhi ynë ndaj mos paguesve të taksave është i qartë, se për ta nuk ka parajsë në Tokë. Askush të mos dyshojë, epoka e fshehjes së parave në llogaritë e kompanive 'offshore' ka ikur", tha Granger.