Nazlı Yüzbaşıoğlu,Muhammet Tarhan
06 Gusht 2020•Përditësim: 06 Gusht 2020
Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu, theksoi se operacioni "Irini", i filluar nga Bashkimi Evropian (BE) në Detin e Mesdheut për kontrollimin e embargos që Kombet e Bashkuara (OKB) e zbatojnë ndaj Libisë, është i anshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu, pas takimit të tij me kryeministrin e Libisë, Fayez al-Sarraj, bashkë me homologun nga Malta Evarist Bartolo, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve rreth vizitës.
Ai tha se në vizitë kanë theksuar mbështetjen dhe bashkëpunimin e Turqisë me Libinë.
"Një rëndësi tjetër e kësaj vizite ishte se erdhëm bashkë me ministrin e jashtëm të Maltës, Bartolo. Në thelb, vendet evropiane, veçanërisht vendet fqinje të Mesdheut, duhet të forcojnë më tej bashkëpunimin e tyre me Libinë" tha Çavuşoğlu duke shtuar se zhvillimet në këtë vend afrikan po ndikojnë edhe në Evropë, veçanërisht vendeve në veri të Mesdheut.
- "Vendi që më së mirë do ta kuptojë Libinë në lidhje me migrimin e parregullt është Turqia"
Më tej kryediplomati turk duke theksuar se Libia po përjeton vështirësi në luftën kundër migrimit të paligjshëm tha se "Brenda Libisë janë mbi 800.000 migrantë të paligjshëm. Vendi që më së mirë do ta kuptojë Libinë në lidhje me këtë është Turqia".
Ai deklaroi se ka nevojë që BE të japë mbështetje të fuqishëm në këtë drejtim, duke potencuar se BE-ja nuk i përmbush premtimet.
"Edhe pse nuk ka një armëpushim të shpallur zyrtarisht ka një qetësi në terren. Tani njerëzit presin shërbim", tha Çavuşoğlu.
Çavuşoğlu duke treguar se problemi në Libi ende nuk është zgjidhur plotësisht, njoftoi se vizitat e tilla të ndërsjella do të vazhdojnë.
Ministri i jashtëm turk vuri në dukje se lideri i forcave jolegjitime në lindje të Libisë Khalifa Haftar ende nuk i beson zgjidhjes politike dhe se në çdo moment mund të sulmojë Misrata ose Tripolin.
"Tani jemi duke e provuar tryezën, domethënë diplomaci. Ne çdo herë kemi qenë aktori kryesor i kësaj tryeze. Qoftë në Stamboll, qoftë në Moskë, në Tripoli, platforma të tjerë. Por kush iku nga tryeza? Haftari iku", u shpreh ai.
- "Gjermania duhet të jetë e paanshme dhe objektive"
Në lidhje me fregatën që Gjermania ka dërguar në ujërat e Libisë për të shërbyer në kuadër të operacionit Irini të filluar nga BE në Mesdhe për të kontrolluar embargon e armëve të OKB-së ndaj Libisë, ai tha se: "Shqetësimet e drejta të qeverisë libiane për këtë çështje nuk janë përmbushur".
Çavuşoğlu tërhoqi vëmendjen se operacioni Irini është një operacion i anshëm. "A ka ardhur ndonjë kritikë nga Haftari dhe mbështetësve të tij lidhur me operacionin Irini? Jo. Sepse është një operacion që mbështet Haftar dhe mbështetësit e tij. BE bëhet mjet i kësaj dhe disa vendet të BE-së kanë shqetësime serioze në lidhje me këtë", theksoi ai.
"Operacioni Irini është një operacion i anshëm. Gjermania është nikoqire e Konferencës së Berlinit. Për këtë arsye, Gjermania duhet të jetë e paanshme dhe objektive. Kur bëhet pjesë e një operacioni të anshëm e humb paanshmërinë. Kështu humbet legjitimiteti i Konferencës së Berlinit. Këtu, Gjermania dërgoi anije me presionin e Francës. Nuk mendojmë se janë shumë vullnetarë", vazhdoi kryediplomati turk.
Ai gjithashtu duke komentuar shpërthimin e ndodhur në fillim të javës në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, tha se shpërthimi është një fatkeqësi e madhe.
Duke vlerësuar gjendjen e shtetasve turq të plagosur në shpërthim, ai tha se Turqia ka dërguar një ekip të përbërë prej Ministrisë së Shëndetësisë, Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe AFAD.
"Ne çdo herë kemi qenë pranë Libanit. Edhe në këtë periudhë edhe pas kësaj periudhe do të jemi pranë Libanit dhe popullit vëlla të Libanit", u shpreh ai.