Eshat Fırat
30 Nëntor 2017•Përditësim: 30 Nëntor 2017
STAMBOLL (AA) – Ish-kryeministri i Egjiptit dhe kryetari i Lëvizjes Nacionale të Egjiptit Ahmed Shefik, i cili banon në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), deklaroi se qeveria e EBA-ve i ka vendosur ndalesë udhëtimi pas vendimit për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Egjipt në vitin 2018, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë speciale për kanalin Al Jazeera, Shefik ka thënë se ndihet i lumtur që banon në EBA, porse autoritetet e këtij vendi nuk e lejojnë të shkojë në Egjipt.
“U habita nga ndalesa për të shkuar në Egjipt nga ana e autoriteteve të EBA-ve vëllazërore për arsye të cilat nuk i di dhe nuk i kuptoj”, ka thënë Shefik.
Ai theksoi se ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në vitin 2018, duke shprehur dëshirën për t’u takuar me punëtorët egjiptianë në EBA në kuadër të fushatës zgjedhore.
“Edhe pse jam falënderues dhe mirënjohës për këtë mikpritje të vlefshme të EBA-ve, unë refuzoj ndërhyrjen në punët e brendshme të shtetit tim dhe pengesën që unë të zbatoj të drejtën kushtetuese dhe të marr pjesë në një çështje kombëtare dhe të bekuar”, ka shtuar ish-kryeministri egjiptian.
Duke u bërë thirrje autoriteteve të EBA-ve të heqin ndalesat për udhëtim, Shefik tha: “Çfarëdo që të ndodh, i premtoj popullit tim se nuk do të abstenoj nga detyra ime”.
Më herët, zëvendëskryetari i Lëvizjes Nacionaliste Rauf es-Sejid për AA tha se Shefik ka marrë vendimin që të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018 në Egjipt.