Addis Getachew Tadesse
29 qershor 2021•Përditësim: 30 qershor 2021
Qeveria e Etiopisë shpalli armëpushim të njëanshëm të hënën, ndërsa raporte të pakonfirmuara thonë se pas muajsh luftimesh, forcat e Frontit Çlirimtare Popullore në Tigray (TPLF) pretenduan se kanë marrë kontrollin në Mekele, kryeqytetin e rajonit të paqëndrueshëm verior, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, qeveria tha se sipas vendimit, të propozuar nga administrata e përkohshme në Tigray, agjencitë e ndihmës në Tigray do të veprojnë pa përcjellje nga ushtria etiopiane në mënyrë që fermerët atje të mund të shfrytëzojnë sezonin kryesor të të korrave.
Deklarata pohoi gjithashtu se forcat rebele TPLF janë ende në gjendje të fragmentuar, duke kryer sulme sporadike.
Në deklaratë pranohet se qeveria është vënë nën presion nga agjencitë ndërkombëtare të ndihmës dhe forca të tjera të jashtme pas zgjedhjeve të suksesshme të përgjithshme javën e kaluar dhe derisa vendi vazhdon punën në digën masive të Nilit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres gjithashtu lëshoi një deklaratë duke shprehur shqetësim në lidhje me situatën aktuale në Tigray.
Ngjarjet e fundit në rajonin Tigray të Etiopisë janë jashtëzakonisht shqetësuese. Ato demonstrojnë, edhe një herë, se nuk ka zgjidhje ushtarake të krizës", ka thënë Guterres.
"Sapo kam folur me kryeministrin Abiy Ahmed dhe shpresoj se do të ndodhë një ndërprerje efektive e luftimeve. Është thelbësore që civilët të mbrohen, ndihma humanitare të arrijë te njerëzit në nevojë dhe të gjendet një zgjidhje politike", ka shtuar shefi i OKB-së.
- Rebelët pretendojnë fitore ndaj forcave qeveritare
Në një intervistë telefonike me kanalin Al-Jazeera, zëdhënësi i TPLF-së, Getachew Read, pohoi se forcat TPLF-së mundën plotësisht forcat e mbrojtjes kombëtare të "Abiy Ahmed" për të rimarrë Mekelen, kryeqytetin e shtetit Tigray.
Sipas tij, ushtria etiopiane nuk u tërhoq nga qyteti pas shpalljes së armëpushimit të njëanshëm, por forcat e TPLF-së i shtypën ata në "segmentin" e parë të angazhimit ushtarak.
Ai e quajti "shaka" shpalljen e armëpushimit të njëanshëm nga qeveria etiopiane.
Nëntorin e kaluar, qeveria e kryeministrit Ahmed aktivizoi një fushatë të zbatimit të ligjit pasi TPLF sulmoi pozicionet e ushtrisë etiopiane në Tigray.
Më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur brenda vendit dhe dhjetëra mijëra janë larguar në Sudanin fqinj.
Agjencitë ndërkombëtare të ndihmës, duke përfshirë organizatat e OKB-së, kanë paralajmëruar për një uri të afërt në Tigray. Qeveria etiopiane ka thënë se ka ofruar ndihmë humanitare për shumicën e njerëzve në nevojë.
Sipas vlerësimeve, Tigray ka një popullsi prej rreth 5,5 milionë banorësh.