Ekip
21 Gusht 2019•Përditësim: 22 Gusht 2019
Zëdhënësja e pallatit mbretëror të Danimarkës, Lene Balleby tha se vendimi i presidentit të SHBA-ve Donald Trump për shtyrjen e vizitës së tij në Danimarkë muajin tjetër ishte "një befasi", transmeton Anadolu Agency (AA).
Balleby sot deklaroi se familja mbretërore, e cila zyrtarisht e kishte ftuar Trumpin të vizitonte Danimarkën më 2 dhe 3 shtator, në kuadër të një udhëtimi evropian, ishte pa koment.
Trump njoftoi vendimin e tij përmes Twitterit pasi kryeministrja daneze kishte hedhur poshtë idenë e shitjes së Grenlandës SHBA-ve, duke e cilësuar si "një ide absurde".
"Danimarka është një vend shumë i veçantë me njerëz të mrekullueshëm, por bazuar në komentet e kryeministres Mette Frederiksen, se ajo nuk ka interes të diskutojë rreth blerjes të Grenlandës nga SHBA-të, unë do të shtyj takimin tonë të planifikuar në dy javë për një afat tjetër”, ka shkruar Trump në Twitter.
Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga qeveria daneze.