Gülşen Topçu
04 Dhjetor 2022•Përditësim: 04 Dhjetor 2022
Në Betlehem në jug të Bregut Perëndimor të pushtuar për të cilin besohet se është vendi i lindjes së profetit Isa, në kuadër të festimeve të Vitit të Ri u ndriçua pema e Krishtlindjeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e mbajtur për ndriçimin e pemës së Krishtlindjeve përpara Kishës së Lindjes (Nativity Church), krahas zyrtarëve palestinezë morën pjesë shumë klerikë fetarë, politikanë dhe mijëra pelegrinë të krishterë.
Në ceremoni u paraqitën performanca muzikore dhe artistike të grupeve vendase dhe të huaja si dhe u kënduan këngë të krishtlindjeve dhe u mbajtën shfaqe të fishekzjarreve.
Guvernatori i Betlehemit, Kemal Hamid në një fjalim në ceremoni tha se "Izraeli po lufton me administratën e Palestinës sepse ai mbart mesazhin e dashurisë dhe paqes që përhapet nga Betlehemi dhe Palestina".
"Ky mesazh dhe rezistenca e popullit tonë në këto territore, do të vazhdojë deri në përfundimin e pushtimit dhe deri kur të realizohet ëndrra e dëshmorëve dhe të burgosurve tanë për formimin e shtetit të Palestinës me kryeqytet Kudsin Lindor", tha Hamid.
Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Betlehemit, Hanna Hananiya tha se Betlehemi është qytet i dashurisë, paqes dhe qetësisë por që ky qytet dhe e gjithë Palestina nuk po munden të jetojnë në paqe dhe qetësi.
"Ka ardhur koha që të marrin fund vuajtjet e popullit palestinez, i cili lindi dhe jetoi si dhe ndërtoi një qytetërim dhe kulturë në këto territore", theksoi Hananiya.
Sipas kalendarit gregorian, kulmi i festës së Krishtlindjeve është më 24 dhjetor. Në meshat fetare që fillojnë në mesnatë, krahas presidentit të Palestinës, Mahmoud Abbas dhe ministrave të vendeve arabe dhe të huaj, marrin pjesë edhe shumë pelegrinë të krishterë.