Ekip
05 Shkurt 2021•Përditësim: 05 Shkurt 2021
Kryeministri i Francës, Jean Castex ka deklaruar se kufizimet dhe masat parandaluese të vendosura nga vendi i tij kanë qenë të suksesshme në mbajtjen nën kontroll të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) përderisa vendet fqinje evropiane po luftojnë me një valë të dytë të virusit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një ditë pas një takimi të nivelit të lartë të Këshillit të Mbrojtjes Shëndetësore, Castex së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Olivier Veran dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, u adresuan në një konferencë të përbashkët për media, ku njoftuan situatën aktuale të vendit me pandeminë.
Duke përdorur terma si "të qëndrueshëm" dhe "të brishtë" për të përshkruar situatën e përgjithshme shëndetësore, infeksionet e përditshme, rezultatet pozitive të testeve dhe pranimet në spital, Castex tha "nuk kemi parë një valë të re".
"Niveli ynë i incidencës sigurisht është i lartë, por është shumë më i ulët sesa ishte në tetor", tha ai, duke këmbëngulur se situata aktuale nuk justifikon një izolim të ri që mund të konsiderohet vetëm si një mundësi e fundit.
Sipas shifrave të fundit nga autoritetet shëndetësore, brenda ditës së fundit Franca regjistroi 26.362 raste me COVID-19 dhe 357 vdekje.
"Situata mbetet shqetësuese por megjithatë ndryshon nga ajo e shumë fqinjëve tanë. Shkalla e vdekshmërisë është një nga më të ulëtat në Evropë", tha Castex.
Ai shtoi se që dy javë virusi nuk është shtuar në mënyrë të konsiderueshme për shkak të masave të tilla si shtetrrethimi dhe mbyllja e kufijve për udhëtarët e vendeve jo anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
"Kur shohim se çfarë po ndodh diku tjetër, Franca nuk ka pse të ketë turp", u shpreh ai, duke lavdëruar popullatën franceze për "vigjilencën e madhe" që nga sezoni i festave të Krishtlindjeve, që sipas tij, i ka mundësuar vendit të mbajë nën kontroll situatën pandemike.
Diskutimet dhe debatet mbi mundësinë e një izolimi të tretë kanë vazhduar gjatë disa ditëve të fundit. Javën e kaluar, administrata e presidentit Emmanuel Macron përjashtoi masat e bllokimit, në vend që të intensifikojë një shtetrrethim, duke forcuar kontrollin e kufirit dhe duke mbyllur hyrjet dhe daljet brenda Francës për udhëtarët nga vendet jo anëtare të BE-së.
Ministri i Brendshëm, Darmanin paralajmëroi se në ditët e ardhshme kufijtë tokësorë do të shtrëngohen edhe më shumë dhe se lëvizja mund të zemërojë punonjësit ndër-kufitarë.
Ai njoftoi se rreth 177 mijë persona janë gjobitur për mosrespektim të masave që nga mbikëqyrja e shtuar nga policia dhe xhandarmëria.
Qarkullimi i llojeve të reja të viruseve nga Mbretëria e Bashkuar, Afrika e Jugut dhe Brazili përbën një kërcënim shumë real për shkak të qarkullimit të tyre aktiv dhe të shpejtë. Që nga 8 janari, sipas vlerësimeve, infeksionet për shkak të llojeve të reja janë rritur nga 3.3 për qind në 14 për qind.
Ministri Varan, nga ana e tij, tha se lloji i Afrikës së Jugut dhe ai i Brazilit janë më shumë shqetësues për shkak të mungesës së të dhënave.
"Franca është në një 'garë kundër ngritjes' përballë përhapjes së llojeve të reja të virusit. Ne nuk do të jemi në gjendje t'i zhdukim ato", paralajmëroi Varan.