Behlül Çetinkaya
12 Mars 2019•Përditësim: 13 Mars 2019
Agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency (AA) në kuadër të avancimit të rrjetit global ka hapur zyrën e saj në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e inaugurimit të zyrës kanë marrë pjesë ministri pakistanez i informacionit, Fawad Chaudhry, ambasadori i Republikës së Turqisë në Pakistan, Ihsan Mustafa Yurdakul, ndihmës drejtori i përgjithshëm dhe drejtor ekzekutiv i publikimit në Anadolu Agency (AA), Metin Mutanoğlu, ndihmës drejtori i përgjithshëm, Mustafa Özkaya, si dhe një numër i madh i gazetarëve dhe zyrtarëve të tjerë.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ministri Chaudhry theksoi se Pakistani dhe Turqia kanë lidhje të forta miqësore me rrënjë të thella përgjatë historisë, duke shtuar se edhe hapja e zyrës së AA-së në Islamabad është gjithashtu një ngjarje e rëndësishme në drejtim të përforcimit të raporteve mes dy vendeve.
“Në kohën e fundit disa agjenci ndërkombëtare të lajmeve, si Anadolu Agency, kanë hapur zyrat e tyre në Pakistan. Në vendin tonë presim edhe më shumë shtëpi mediale ndërkombëtare dhe kompani turke”, tha Chaudhry.
Ambasadori Yurdakul ka theksuar se me hapjen e zyrës së AA në Islamabad, me Pakistanin do të shkëmbehet eksperienca e pasur dhe dija në sferën e raportimit gazetaresk.
“AA me lajmet e saja tërë botës do t’ia shfaq potencialin e vërtetë të cilin me të vërtetë e posedon Pakistani”, tha Yurdakul.
Gjatë fjalimit të tij, Özkaya tha se AA është njëra nga agjencitë kryesore botërore të lajmeve, duke shtuar se me eksperiencën e saj prej 99 viteve, paraqet një burim të besueshëm të lajmeve dhe përmbajtjeve të tjera informative për abonentët anekënd botës.
Özkaya theksoi se me hapjen e zyrës në Pakistan, qëllimi i vetëm i AA-së nuk është vetëm prodhimi i lajmeve dhe përmbajtjeve tjera.
“Qëllimi ynë nuk është vetëm të prodhojmë lajme për ndodhitë në rajon, por edhe botës t’ia prezantojmë mikpritjen dhe bukuritë e Pakistanit, se bëhet fjalë për një shtet të sigurt, në mënyrë që sa më shumë turistë të vizitojnë këtë vend”, tha Özkaya.
Pas fjalimeve, me prerjen e shiritit në mënyrë solemne u hap zyra e Anadolu Agency (AA), pas çka të pranishmit kishin mundësi për të parë video të shkurta të punës dhe aktiviteteve të kësaj agjencie të lajmeve.