Ekip
18 Tetor 2022•Përditësim: 18 Tetor 2022
Shtatë persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri në shtetin verior të Himalajeve, Uttarakhand në Indi, njoftuan zyrtarët, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas policisë lokale, helikopteri që transportonte pelegrinët u rrëzua në vendin e quajtur Garudchatti të shtetit.
Abhinav Kumar, kryesekretar i posaçëm i kryeministrit të Uttarakhand, tha për AA se të shtatë personat në bord kanë humbur jetën në aksident, përfshirë pilotin.
Nandan Singh Rajwar, zyrtar i menaxhimit të fatkeqësive në qarkun Rudraprayag të shtetit, tha për AA se helikopteri u ngrit nga qyteti Kedarnath me shtatë persona në bord. Të gjithë trupat janë nxjerrë nga vendi i aksidentit, shtoi ai.
Qyteti Kedarnath në shtetin Uttarakhand është i famshëm për tempullin hindu që tërheq pelegrinët nga i gjithë vendi.
"Është urdhëruar një hetim i detajuar për këtë incident tragjik", shkroi në Twitter kryeministri i shtetit, Pushkar Singh Dhami.
Ndërkohë, kryeministri indian, Narendra Modi, duke shprehur shqetësimin e tij rreth aksidentit tragjik shkroi në Twitter: "Në këto orë tragjike, mendimet e mia janë me familjet e viktimave".