Mahmoud Barakat
24 Janar 2017•Përditësim: 24 Janar 2017
BAGDAD (AA) – Ministria e Mbrojtjes së Irakut ka tërhequr të martën pohimin se ka çliruar tërësisht Mosulin lindor, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjeneral lejtnanti i ushtrisë, Jahja Resul, në cilësi të zëdhënësit të Komandës së Përbashkët Operacionale të Irakut, u tha gazetarëve se aktualisht po bëhen përpjekje për të dëbuar militantët e DEASH-it nga lagjet Rashidiya dhe Baisan në Mosul.
“Autoriteti i vetëm kompetent për të shpallur çlirimin e Mosulit lindor është Komanda e Përbashkët Operacionale”, sqaroi Resul.
Më herët, ministria irakiane e Mbrojtjes tha se ushtria e Irakut ka rimarrë plotësisht Mosulin lindor, rreth tre muaj pas nisjes së ofensivës së saj për çlirimin e qytetit nga grupi terrorist DEASH.
“Tani po presim deklaratën zyrtare nga kryeministri i vendit Haider al-Abadi, që është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Irakut”, kishte deklaruar Nasir Nuri zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në një deklaratë të transmetuar në televizionin shtetëror.
Zëdhënësi vazhdoi të pohonte se në betejën për qarkun lindor të Mosulit, DEASH-i ka pësuar humbje të mëdha njerëzore dhe materiale.
"Forcat e ushtrisë tani janë duke kontrolluar zonën me qëllim të gjetjes dhe largimit të kurtheve të vendosura në ndërtesat dhe të hapin rrugët në zonat e çliruara”, shtoi ai.
Tetorin e kaluar, ushtria e Irakut e mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të në ajër dhe aleatët lokalë në terren, filloi një fushatë të gjerë për të rimarrë Mosulin, të cilin DEASH-i e okupoi në mars të vitit 2014.