Sinan Doğan
24 Qershor 2022•Përditësim: 26 Qershor 2022
Njoftohet se rastet e para të lisë së majmunit janë zbuluar tek tre persona në Kolumbi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se rastet janë zbuluar tek tre persona, dy në kryeqytetin Bogota dhe një në Medellin.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë bëri të ditur se testet laboratorike kanë rezultuar pozitive në kontrollet e kryera ndaj të dyshuarve dhe se pacientët janë izoluar.
Autoritetet njoftuan se pacientët e identifikuar në Bogota kishin ardhur së fundmi nga Evropa.
Drejtoresha e Epidemiologjisë dhe Demografisë në Ministrinë e Shëndetësisë, Claudia Cuellar, tha se simptomat e lisë së majmunit zakonisht shfaqen në formën e etheve, dhimbjeve të forta të kokës, dhimbjeve të muskujve, dhimbjes së shpinës, energjisë së ulët dhe skuqjes së lëkurës.
Cuellar i kërkoi publikut të qëndrojë i qetë, duke paralajmëruar nevojën për të qenë në vëzhgim për simptomat.