Recep Şakar
25 Mars 2019•Përditësim: 26 Mars 2019
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern tha se një Komision Mbretëror i Hetimeve është themeluar për të hetuar sulmin terrorist në Christchurch ku u vranë 50 persona dhe 50 të tjerë u plagosën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të radios së Zelandës së Re (RNZ), Ardern në një deklaratë pas takimit të Këshillit të Ministrave tha se Komisioni Mbretëror i Hetimeve do të hetojë sulmin ndaj xhamive Al Noor dhe Linwood në Christchurch.
"Komisioni Mbretëror i Hetimeve që është themeluar do të shqyrtojë atë që mund të bëhet ose që duhet të bëhet për të parandaluar sulmet", tha Ardern duke rikujtuar se qytarët e Zelandës së Re dhe komuniteti musliman i brengosur parashtron pyetje të drejta në lidhje me çështjen se si është kryer sulmi terrorist.
Pasi deklaroi se Komisioni do të shqyrtojë Zyrën e Sigurisë së Komunikimit të Qeverisë (GSCB), Shërbimin e Inteligjencës së Sigurisë (SIS), Policinë, Doganat, Imigracionin dhe institucionet e tjera përkatëse, Ardern tha se "Plani ynë është të sigurojmë që Zelanda e Re të jetë e sigurt dhe që një gjë e tillë të mos përsëritet më".
Komisioni Mbretëror i Hetimeve do ta përfundojë raportin për dy ose deri në tre javë, tha Ardern.
Simon Bridges, lideri i Partisë Kombëtare e cila është opozita kryesore në Zelandën e Re ka njoftuar se mbështesin që institucionet e sigurisë dhe inteligjencës do të hetohen nga Komisioni Mbretëror i Hetimeve.
Komisioni Mbretëror i Hetimeve është organi më i lartë hetimor i vendit dhe ai përbëhet nga anëtarë të ermëruar nga guvernatori i përgjithshëm. Komisioni që heton mangësitë dhe neglizhencën në institucionet shtetërore, pasi të përfundojë raportin më parë ia paraqet guvernatorit të përgjithshëm dhe më pas Parlamentit.
Në sulmin terrorist më 15 mars ndaj xhamive Al Noor dhe Linwood në qytetin Christchurch të Zelandës së Re u vranë 50 persona ndërsa 50 të tjerë u plagosën.