Islam Uddin
23 Nëntor 2020•Përditësim: 23 Nëntor 2020
Koreja e Jugut sot caktoi një të dërguar të ri në Japoni në përpjekje për të rivendosur lidhjet me Tokion, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, ka zgjedhur Kang Chang-il, ish-deputetin e Partisë Demokratike, i cili shërbeu për katër mandate, për ambasador të ri në Japoni, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap.
Kang, i cili dikur drejtonte Unionin e Parlamentarëve Koreja e Jugut-Japoni, është i njohur për ekspertizën në çështjet e lidhura me Tokion.
Zgjedhja e Kang nga ana e Moon shihet si pasqyrim i vendosmërisë së tij për të zgjidhur çështjet në pritje që kanë tensionuar marrëdhëniet midis Seulit dhe Tokios, të cilat u shfaqën si rezultat i mosmarrëveshjes rreth kompensimit të viktimave të punës së detyruar gjatë luftës.
Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve mbetën në nivelin më të ulët historik gjatë vitit të kaluar pasi një gjykatë e Koresë së Jugut u kërkoi firmave japoneze të dëmshpërblejnë viktimat e punës së detyruar gjatë sundimit kolonial të Japonisë mbi Gadishullin Korean.
Duke refuzuar vendimin, Japonia u përgjigj se marrëveshja e vitit 1965 midis dy vendeve i ka dhënë fund kësaj çështjeje.
Sipas disa historianëve, Japonia shfrytëzoi qindra mijëra koreanë me punë të detyruar. Megjithatë, Tokio thotë se jo të gjithë ishin punëtorë të detyruar.
Tokio pranoi mizoritë e saj të luftës në lidhje me punët e detyruara dhe u kërkoi falje viktimave aziatike në vitin 1995.
Mosmarrëveshja midis Seulit dhe Tokios u përhap në çështjet tregtare dhe ushtarake.
Vitin e kaluar, Japonia kufizoi eksportet e pajisjeve industriale vitale në Korenë e Jugut, duke goditur industrinë e teknologjisë së vendit.
Më 24 shtator, kryeministri i sapozgjedhur japonez Yoshihide Suga dhe presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in ranë dakord për të shpejtuar negociatat për një marrëveshje të hershme për të rifilluar udhëtimet e biznesit.