Ekip
03 Shkurt 2017•Përditësim: 03 Shkurt 2017
SEUL (AA) – Hetuesit e Koresë së Jugut janë penguar në punën e tyre për të kryer bastisje në zyrën presidenciale, të njohur si Shtëpia e Kaltër, për arsye gjoja të sigurisë, raportojnë mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Prokurorët special morën urdhër për bastisje dhe konfiskim të Shtëpisë së Kaltër nga Gjykata Qendrore e qarkut në Seul në lidhje me hetimet për skandalin e shpërdorimit të pozitës zyrtare, i cili në dhjetor të vitit të kaluar çoi në shkarkimin e Presidentes Park Geun-hye.
Shtëpia e Kaltër nuk është bastisur ndonjëherë dhe ka mbrojtje të veçantë ligjore kundër asaj që të bastiset me forcë, por vetëm në rastet kur konsiderohet se bastisja nënkupton shkeljen e interesit kombëtar.
"Duke pasur parasysh se kompleksi presidencial ndodhet në kategorinë e objekteve të sigurisë që kanë të bëjnë me agjencitë ushtarake dhe të zbulimit, nuk mund të pranojmë asnjë bastisje në përputhje me praktikat ekzistuese", sqaron një burim nga zyra presidenciale për mediat e Koresë së Jugut në kushte anonimiteti.