Ahmet Gürhan Kartal
02 Shkurt 2017•Përditësim: 02 Shkurt 2017
LONDËR (AA) – Qeveria e Britanisë së Madhe ka publikuar projekt strategjinë e procesit të daljes së vendit nga Bashkimi Evropian, ndërsa paraprakisht Parlamenti i këtij vendi dje i dha autorizimin kryeministres Theresa May për fillimin e procesit Brexit, raporton Anadolu Agency (AA).
Bëhet fjalë për të ashtuquajturën “White Paper” në të cilën thuhet se qëllimi i Qeverisë së Britanisë së Madhe është që në fazën e hershme të negociatave të arrijë marrëveshje me Bashkimin Evropian për statusin dhe të drejtat e britanikëve në BE dhe shtetasve të vendeve të BE-së në Britaninë e Madhe.
Marrja e kontrollit mbi legjislacionin britanik, kontrollin e migrimit, sigurimin e tregtisë së lirë në Evropë dhe vendosja e marrëdhënieve të reja ekonomike me vendet e treta janë vetëm disa nga pikat që përmban propozimi qeveritar për Brexit.
“Ky dokument konfirmon vizionin e kryeministres May për ndikimin e pavarur dhe të vërtetë global të Britanisë së Madhe, si dhe vizionin e marrëdhënieve ambicioze me BE-në në të ardhmen”, theksohet në njoftimin të cilin sot e publikoi qeveria britanike.
Kryeministrja May më herët prezantoi 12 parimet të cilët qeveria britanike i kalon për të përmbushur vullnetin e popullit të shprehur në referendumin e vitit të kaluar për daljen nga BE-ja. May paralajmëroi se do të aktivizojë nenin 50 të Marrëveshjes së Lisbonës deri në muajin mars të këtij viti, me çka edhe formalisht fillon procesin e Brexit, ndërsa negociatat do të duhet të zgjasin dy vite.