Ahmet Furkan Mercan
02 Nëntor 2022•Përditësim: 02 Nëntor 2022
Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut njoftoi se Koreja e Veriut ka kryer të paktën 10 testime raketore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e Shtabit thuhet se të paktën 10 raketat e lëshuara nga zona të ndryshme, përfshirë Wonsan kanë rënë në brigjet lindore dhe perëndimore të Koresë së Veriut.
Më tej thuhet se një prej raketave ka rënë në anën jugore të kufirit "de facto" detar mes dy vendeve dhe testimet janë cilësuar si të "patolerueshme".
"Pas ndarjes (së Gadishullit Korean) për herë të parë një raketë e Koresë së Veriut ka rënë në zonën detare të Koresë së Jugut", thuhet në deklaratën e shtabit.
Bëhet e ditur se alarmet e sulmit ajror janë aktivizuar në orën 08:55 sipas kohës lokale në Ishullin Ulleung në brigjet lindore të Koresë së Jugut.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol në një takim me zyrtarë të Sigurisë Kombëtare kërkoi që për "koston e provokimeve" të merren masa të guximshme kundër Koresë së Veriut.
Ministri japonez i Mbrojtjes, Hamada Yasukazu tha se raketat e lëshuara në drejtim të Detit Japonez (Detit Lindor) kanë rënë jashtë zonës ekskluzive ekonomike japoneze.
Ai theksoi se vendi i tij i ka dërguar notë proteste qeverisë së Phenianit nëpërmjet ambasadës në Pekin dhe se nuk janë konstatuar dëme në mjetet ajrore dhe detare në zonë.
Ka tërhequr vëmendjen se testimet kanë përkuar me stërvitjen ajrore të përbashkët të SHBA-së dhe Koresë së Jugut e cila pritet të vazhdojë gjatë javës dhe në të cilën marrin pjesë rreth 240 avionë, përfshirë edhe avionët F-35.