Zehra Nur Düz
29 prill 2020•Përditësim: 29 prill 2020
Një punëtor shëndetësor u vra sot në një sulm me raketa nga forcat besnike të komandantit renegat Khalifa Haftar në një spital ushtarak në kryeqytetin libian Tripoli, raporton Anadolu Agency (AA).
Amin al-Hashimi, zëdhënës i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA), për Anadolu Agency (AA) tha se gjatë sulmit u plagosën edhe 6 punonjës të tjerë.
Ai gjithashtu theksoi se sulmi i ka shkaktuar spitalit dëme serioze materiale.
Milicitë e Haftarit sot më herët sulmuan me të paktën gjashtë raketa edhe një spital fushor që ndodhet në rrugën e aeroportit në Tripolin jugor, njoftoi qendra mediale e operacionit “Vullkani i tërbimit” i udhëhequr nga GNA.
Sulmi shkaktoi dëme të mëdha në spital dhe ambulanca. Në deklaratë thuhet se milicitë sulmuan vazhdimisht spitalin dhe stafin shëndetësor.
Në një video mesazh të hënën, Haftar në mënyrë të njëanshme e shpalli veten sundimtar të Libisë.
Duke treguar si pretekst demonstrimet në rrugë në zonat nën kontrollin e tij, ai pretendoi se "ka marrë mandatin e popullit libian" për të qeverisur vendin.
Ai tha se marrëveshja Skhirat e nënshkruar në vitin 2015 nga palët ndërluftuese në Libi nën kujdesin e OKB-së është "një gjë e së kaluarës".
Që nga rrëzimi i sundimtarit disadekadësh të vendit, Muammar Gaddafi, në vitin 2011, në vend janë shfaqur dy pushtete, ajo e Haftarit në Libinë lindore, e mbështetur kryesisht nga EBA dhe Egjipti, dhe GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.