Burak Bir
07 Qershor 2019•Përditësim: 08 Qershor 2019
Parlamenti i Lituanisë ka miratuar një rezolutë me anë të të cilës njeh dëbimin sovjetik të tatarëve të Krimesë si gjenocid, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Sot, Parlamenti i Lituanisë miratoi rezolutën që deklaroi dëbimin masiv të tatarëve të Krimesë 75 vite më parë akt të gjenocidit të kryer nga regjimi totalitar stalinist. Lituania do të vazhdojë të qëndrojë në këmbë për të drejtat e tatarëve të Krimesë në Krimenë e pushtuar nga Rusia”, shkroi në Twitter dje ministri i Jashtëm lituanez, Linas Linkevicius.
77 nga 78 deputetë votuan në favor të rezolutës ndërsa një deputet abstenoi.
Parlamenti po ashtu dënoi aneksimin e Krimesë nga Rusia.
Më 18 maj të vitit 1944, dhjetëra mijëra tatarë të Krimesë u dëbuan në Azinë Qendrore nga regjimi sovjetik i Joseph Stalinit, i cili i akuzoi ata për bashkëpunim me forcat naziste pushtuese.
Tatarët e Krimesë u dëbuan në rajone të ndryshme brenda territorit sovjetik, në veçanti në Siberi dhe Uzbekistan. Pothuajse gjysma e të mërguarve, të cilët rezistuan me muaj të gjatë në kushte të tmerrshme të jetesës, mendohet se kanë vdekur nga uria dhe sëmundjet.