Bojana Stojanovic
27 Shkurt 2018•Përditësim: 27 Shkurt 2018
BEOGRAD (AA) – Gjermania inkurajon Serbinë që të vazhdojë me reformat në rrugën evropiane, deklaroi sot kancelarja gjermane Angela Merkel, duke theksuar se negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) mund të jenë të suksesshme vetëm nëse reformat më tej zhvillohen në domenin e shtetit juridik dhe në dritën e çështjes së marrëdhënieve me Kosovën, raporton Anadolu Agency (AA).
“Andaj pjesërisht jemi përqendruar në çështjen se si mund të vijmë deri te korniza juridike, zgjidhje kontraktuale për Kosovën”, tha Merkel në konferencën e përbashkët për gazetarë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Berlin.
Ajo theksoi se vlerëson punën e Vuçiçit edhe kur është fjala për bashkëpunimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe i dëshiroi sukses në “punën që nuk është e thjeshtë”.
“Më vjen mirë që çështja e kujtimeve të luftës është zgjidhur në kuadër të bisedimeve të sotme, e cila është një pikë kyçe në marrëdhëniet e vendeve tona dhe është një dhuratë e paraqitur nga presidenti i Serbisë”, tha Merkel duke shtuar se Marrëveshja e arritur për memoaret e luftës dhe vendet e viktimave gjatë luftërave në territorin e Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë.
Presidenti i Serbisë Vuçiç tha se “për ne zgjidhje e vështirë është që Serbia të jetë humbës absolut në gjithçka”.
Ai tha se për të është nder siç tha “që një president i një vendi relativisht të vogël të jetë mysafir i kancelares gjermane”.
“Kjo tregon se sa është serioziteti i saj në zgjidhjen e problemeve evropiane. Është e njohur se askujt nuk i vardisem, por pa Merkelin përpjekjet dhe angazhimet e saj, kam frikë se do të kishim një situatë të vështirë në këtë pjesë të Evropës”, tha ai.
Ai përmendi se Serbia është e përkushtuar në paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe se llogarit në mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë dhe kancelares Merkel.
“Kemi shumë për të bërë, para nesh është rruga e vështirë për zgjidhjen e kapitujve 23 dhe 24 dhe një pengesë e vështirë është zgjidhja e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, theksoi ai.
Vuçiç sot qëndroi për vizitë zyrtare në Berlin me ftesë të kancelares gjermane Merkel.