Ekip
26 Prill 2019•Përditësim: 29 Prill 2019
Autoritetet e Mianmarit njoftuan se kanë anuluar misionin e kërkimit dhe shpëtimit të personave që u zhdukën pas një rrëshqitjeje të dheut që përfshiu një minierë të gurëve të çmuar në veri të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjithsej 54 të punësuar të dy kompanive private u zhdukën, shumica prej të cilëve ishin angazhuar që të sigurojnë zonën e minierës. Aksidenti ndodhi të hënën kur u shemb një pellg për filtrimin e baltës që ndodhet në zonën e vjetër të minierave në Hpakant, në shtetin e veriut Kachin.
Kyaw Swa Aung, drejtuesi i komunës, tha se autoritetet dhe vullnetarët ndërprenë me kërkimin e trupave sot pasi dy presona që iu bashkangjitën ekipit për shpëtim, humbën jetën pasi mbetën të groposur nga rrëshqitjet më të vogla të dheut të mërkurën.
“Vetëm katër kufoma u nxorrën nga balta deri të mërkurën”, tha ai për AA në një bisedë telefonike.
“Pasi ka mundësi për rrëshqitje të reja të tokës dhe baltës, kërkimi për kufomat tjera u bë i rrezikshëm”, tha ai.
Zyrtari gjithashtu tha se po shuhen shpresat për gjetjen e 50 personave të tjerë, që u zhdukën të hënën.
“Pasi ata janë të groposur nën baltë, shanset janë shumë të vogla", shtoi Aung.
Ligjvënësi Tint Soe që përfaqëson komunën Hpakant në Dhomën e Ulët të Parlamentit, konfirmoi se u anulua misioni i kërkimit dhe shpëtimit.
“Nuk kam parë ndonjë njeri të kërkojë kufomat sot”, tha ai përmes një bisede telefonike.
Soe shtoi se shumica e kufomave zakonisht nuk nxirren nga rrënojat pasi balta i gropos të gjitha gjësendet e gjalla dhe jo të gjalla kurdo që ndodh ndonjë aksident.
“Kompanitë u japin anëtarëve të familjes kompensime në para. Atëherë përfundojnë gjërat. Kjo është ajo që ndodhi këtu”, sqaroi ai.
Sipas të dhënave të komunës Hpakant, të paktën 20 persona e kanë humbur jetën këtë vit nga shembjet dhe rrëshqitjet e dheut në miniera.
Shumica e viktimave ishin identifikuar si emigrantë të brendshëm që kërkojnë gurë nefriti apo pjesë të gurëve tjerë të çmuar që janë lënë nga punimet e kompanive në miniera.
Zona Hpakant është qendra e industrisë vendase të minierave për nxjerrjen e gurit të çmuar nefrit, i cili radhitet ndër më cilësorët në botë.