Ekip
17 Gusht 2017•Përditësim: 18 Gusht 2017
ANKARA (AA) – Numri i fermave ku u gjetën vezët me insekticide në Korenë e Jugut është rritur në 29. Sipas lajmit të Agjencisë Yonhap, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Punëve Lokale ka njoftuar se pas përcaktimit të 6 fermave, tashmë edhe në 23 ferma të tjera në vend janë zbuluar vezët me insekticide, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës, bëhet e ditur se në disa vezë të 5 fermave është gjetur substanca e fipronilit, e cila përdoret për shkatërrimin e pleshtave, morrave, etj, por që është e ndaluar në përdorimin e kafshëve në fermat e pulave. Ndërkaq në 18 ferma është gjetur përdorimi i bifetrinit dhe disa insekticide të tjera.
Në vend më parë ishte njoftuar se në një fermë në Namyangju, në lindje të Seulit, ku ndodhen 80 mijë pula në disa vezë është zbuluar përdorimi i fipronilit, kurse Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Punëve Lokale kishte ndaluar prodhimin e shpezëve në fermat ku kishte më shumë se 3 mijë pula, për vazhdimin e hetimeve lidhur me rastin.
Qeveria po ashtu ndaloi përkohësisht shitjen e vezëve në dyqanet dhe supermarketet vendore dhe dje njoftoi se që nga dita e premte mund të vazhdohet shitja e vezëve të kontrolluara.
"Kriza e insekticideve nëpër vezë" përveç Gjermanisë, Holandës dhe Belgjikës nga eksportet e vezëve nga këto vende ishte përhapur edhe në vendet tjera anëtare të BE-së.
Fipronili i cili ndodhet në qendër të skandalit, është një insekticid i cili sidomos tek pulat përdoret për shkatërrimin e pleshtave dhe morrave, mirëpo në vendet e BE-së është i ndaluar përdorimi i tij në fermat e pulave, të cilat rriten për konsumimin e njerëzve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se fipronili është një “substancë e nivelit të mesëm të dëmshmërisë” dhe që në qoftë se përdoret në masë të madhe mund ta dëmtojë veshkën, mëlçinë dhe gjëndrën tiroide.