Esra Taşkın
12 Dhjetor 2022•Përditësim: 12 Dhjetor 2022
Në kryeqytetin e Francës, Paris, do të organizohen konferencat "Solidariteti me popullin e Ukrainës" dhe "Forca dhe rindërtimi i Ukrainës", transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas burimeve të pallatit Elysee, dy konferencat që do të mbahen nesër me iniciativën e përbashkët Ukrainë-Francë, do të merren përsipër nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zeleneskyy i cili do të marrë pjesë përmes video-konferencës.
Në konferencën "Solidariteti me popullin e Ukrainës", pritet të marrin pjesë 47 vende dhe 22 institucione ndërkombëtare. Po ashtu pjesëmarrje do të ketë përmes video-konferencës edhe nga sekretari i OKB-së, Antonio Guterres.
Në mesin e pjesëmarrësve të tjerë janë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri i Ukrainës, Danys Shmyhal dhe Olena Zelenska, bashkëshortja e presidentit Zelenskyy.
Në konferencën e parë synohet të sigurohet mbështetje për nevojat urgjente të infrastrukturës së Ukrainës, veçanërisht në fusha të tilla si energjia, ushqimi, shëndeti, transporti publik dhe uji deri në periudhën 13 dhjetor - mars 2023.
Ndërsa në konferencën pas dreke "Forca dhe rindërtimi i Ukrainës" do të marrin pjesë përfaqësues të 500 kompanive franceze përfshirë, Enedis institucionin përgjegjës për infrastrukturën dhe mirëmbajtjen e linjave elektrike në Francë, kompania në fushën e produkteve të qumështit Lactalis dhe kompania farmaceutike, Sanofi.