Adam Abu Bashal
09 Maj 2018•Përditësim: 09 Maj 2018
KINSHASA (AA) – Pjesa veriperëndimore e Republikës Demokratike të Kongos është goditur nga epidemia e ebolës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se në rajonin Bikoro gjatë 5 javëve kanë humbur jetën 17 persona ndërsa 21 raste janë identifikuar.
“Shteti ynë përsëri është përballë një epidemie të virusit ebola dhe kjo përbën kërcënim serioz në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Punëtorët tanë të cilët me shpejtësi kanë marrë nën kontrollë epidemitë e mëparshme, kanë filluar angazhimet edhe për parandalimin e kësaj epidemie”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë në rajon janë dërguar mjekët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ebola e cila për herë të parë është regjistruar në Kongo në vitin 1976 është shfaqur përsëri në muajin dhjetor të vitit 2013 në Afrikën Perëndimore.
Gjatë viteve 2014-2017 rreth 30 mijë persona në Guinea, Liberi dhe Sierra Leone janë infektuar me virusin e ebolës ndërsa më shumë se 11 mijë persona kanë vdekur.