Alaattin Doğru
21 Janar 2019•Përditësim: 21 Janar 2019
DAKAR (AA) - Si pasojë e epidemisë Ebola që filloi në muajin korrik të vitit të kaluar, në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos deri më tani kanë humbur jetën 370 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë e Republikës Demokratike të Kongos ka publikuar të dhëna në lidhje me epideminë Ebola, e cila ka nisur në rajonin Beni dhe është përhapur në rajonin Ituri.
Sipas të dhënave të fundit, që nga shfaqja e epidemisë e deri më tani janë regjistruar 685 raste të etheve hemorragjike, prej të cilëve 636 persona janë diagnostikuar bartës të virusit Ebola.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga epidemia është rritur në 370, ndërsa 191 persona mbahen nën mbikëqyrje me dyshimin se janë infektuar me Ebola.
Nga të diagnostikuarit 245 persona janë shëruar. Në mesin e 685 rasteve me ethe hemorragjike ndodhen edhe 49 raste të vdekjes të cilat nuk janë përcaktuar nëse kanë ardhur si pasojë e virusit Ebola.
Në kuadër të fushatës së nisur më 8 gusht në rajon deri më sot kundër virusit janë vaksinuar 63.061 persona.
Ebola është shfaqur për herë të parë në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudan në vitin 1976 dhe në dhjetor të vitit 2013 ajo u përhap në Afrikën Perëndimore. Në epideminë e regjistruar gjatë viteve 2014-2017 në Guine, Liberi dhe Sierra Leone nga ky virus u infektuan rreth 30 mijë persona, ndërsa më shumë se 11 mijë persona humbën jetën.