Ekip
08 Maj 2018•Përditësim: 09 Maj 2018
WASHINGTON (AA) - Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se vendi i tij do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe do të rizbatohen në mënyrën më të fortë sanksionet ekonomike të pezulluara në vitin 2015, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trump ka njoftuar nëpërmjet një konference për media në Shtëpinë e Bardhë vendimin për Iranin i cili një kohe të gjatë pritej me interes në opinionin botëror.
Duke mbrojtur idenë e tij se marrëveshja bërthamore e arritur në vitin 2015 përdorej nga Irani për qëllimet e tij, Trump tha se "Atëherë sot bëj të ditur se SHBA tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Ndaj Tehranit do të rivendosim sanksionet ekonomike të nivelit më të lartë".
"Do të rikthehen sanksionet"
"Do të përballet me sanksione në mënyrën më të fuqishme cili do vend që ndihmon përpjekjet e Iranit për të patur armë bërthamore. Amerika nuk do të jetë peng i një shantazhi", deklaroi Trump në konferencën për media duke u dërguar mesazh vendeve që do të bashkëpunojnë me Iranin pasi të fillojë zbatimi i sanksioneve.
Ai tha se Irani duke përfituar nga marrëveshja bërthamore ka vazhduar përpjekjet për programin bërthamor dhe prodhimin e armëve. Trump pretendon se pa hyrë në detaje konkrete Irani "po gënjen".
Presidenti amerikan ka mbrojtur idenë se "Regjimi i Teheranit ndihmon elementët terroristë në rajon dhe se përfitimet e arritura nga marrëveshja i investon në programet e tij bërthamore dhe ushtarake".
"Do të punojmë për një zgjidhje të re dhe gjithëpërfshirëse"
Në vijim Trump vuri theksin se SHBA është tërhequr nga marrëveshja dhe tashmë me vendet e interesuara mund të punojnë për një proces të ri kundër "kërcënimit bërthamor iranian".
"Teksa tërhiqemi nga marrëveshja, ne do të punojmë me aleatët tanë për të gjetur një zgjidhje të vërtetë, gjithëpërfshirëse dhe të përhershme kundër kërcënmit bërthamor të Iranit. Këto përpjekje përfshijnë edhe eliminimin e programit raketor balistik të Iranit dhe aktivitetet e tij terroriste", theksoi Trump.
Ai ka njoftuar se Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo pas një kohe të shkurtër do të qëndrojë në Korenë e Veriut ku do të takohet me Kim Jong-un.