26 Mars 2019•Përditësim: 26 Mars 2019
Policia e Spanjës ka njoftuar se kanë arrestuar 17 pjesëtarë të një bande të trafikimit të qenieve njerëzore që kërcënonte emigrantët marokenë, të cilët kërkuan t'u kthehen paratë pasi nuk arritën të kalonin në Evropë përmes detit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia sot njoftoi se kjo bandë vepronte nga Ceuta, enklavë spanjolle në veri të Afrikës.
Kontrabandistët e dyshuar akuzohen se kanë marrë nga 1.500 deri 4.000 euro për transportimin e emigrantëve marokenë përmes bregut të Gjibraltarit me gomone. Sipas policisë, kontrabandistët kërcënuan migrantët të cilët do të merrnin guximin që të kërkonin kthimin e parave në rast se nuk do të arrinin të kalonin detin.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) këtë vit, më shumë se 5.500 emigrantë mbërritën në Spanjë përmes detit ndërsa 121 persona humbën jetën. Vitin e kaluar pati një rekord prej 57.000 emigrantësh ndërsa rreth 800 humbën jetën.