Ekip
22 Dhjetor 2018•Përditësim: 23 Dhjetor 2018
MOGADISHU (AA) - Është rritur në 16 numri i të vdekurve dhe 20 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me autobombë ndaj një pike kontrolli në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burimet e sigurisë mësohet se mjeti autobombë i drejtuar nga në kamikaz është përplasur në pikën e kontrollit gjatë kohës kur është përpjekur të kalojë barrierat që ndodhen në hyrje të teatrit në Mogadishu.
Në mesin e të vrarëve janë edhe Zëvendës bashkiaku i Mogadishut, Muhammed Abdullah Tulah, deputeti Varsemi Cudah dhe gazetari i Universal TV, Awil Dahir Salad.
Ndërkohë bëhet e ditur se një shpërthim i dytë ka ndodhur në sheshin "Ushtari i panjohur" në Mogadishu ku nuk ka patur të vrarë apo të plagosur.
Në anën tjetër theksohet se organizata terroriste Al-Shabaab ka marrë përsipër autorësinë e sulmeve.