Ekip
18 Maj 2020•Përditësim: 18 Maj 2020
Mbi 1.500 familje të rrezikuara në Kenia kanë pranuar ndihmë ushqimore dhe sanitare nga Turqia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Disa nga familjet janë prekur nga përmbytjet, uria dhe varfëria, si dhe një invazion karkalecash që ka kërcënuar sigurinë ushqimore në Afrikën Lindore.
Emre Yüksek, koordinatori në Kenia i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), tha për AA se ndihma ushqimore dhe produktet sanitare erdhën në një kohë të përshtatshme kur ato ishin të nevojshme, veçanërisht për shkak të efekteve të koronavirusit të ri (COVID-19).
"Ishim në gjendje të arrijmë deri te 1.500 familje në zonat e varfëra Githogoro dhe Huruma, në Eastleigh, që është i mbyllur totalisht për shkak të koronavirusit", tha Yüksek.
Zonat e tjera të ndihmuara nga agjencia shtetërore e Turqisë përfshijnë qytetin Nakuru, ku në vitin 2018, dhjetëra njerëz humbën jetën pasi shembjes së një dige të ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
Në vitin 2020, përmbytjet goditën përsëri të njëjtin rajon, duke bërë që familjet të kenë nevojë për ndihmë humanitare, tha Yüksek.
"Ne arritëm të mbështesim 200 familje në Nakuru dhe tri shtëpi fëmijësh me ushqime të thata", shtoi ai.
Yüksek tha se vetëm në maj, Turqia ka shpërndarë 50 tonë ushqim të thatë, pesë tonë vaj gatimi, dy tonë mish dhe gati 30.000 sapunë, në mesin e produkteve të tjera higjienike, për të lehtësuar ndikimet negative të krizës në vazhdim.
Pakot e ndihmës përfshijnë vaj gatimi, miell, sheqer, kripë, fasule dhe çaj, si dhe dispenzues uji, tableta të pastrimit të ujit, peshqirë sanitarë të ripërdorshëm, sapunë për banjo dhe sapunë të rrobave.