Hasan Esen
18 Nëntor 2016•Përditësim: 18 Nëntor 2016
BRUKSEL (AA) – Turqit që jetojnë nëpër Evropë do të organizojnë demonstrata për ta dënuar terrorin dhe në shenjë mbështetjeje për demokracinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kritikat ndaj Turqisë kanë vënë në lëvizje turqit nëpër Evropë. Organizatat turke të shoqërisë civile janë takuar dhe kanë marrë vendimin për të organizuar demonstratë të përbashkët me emrin “Dënojmë terrorin. Ftojmë në demokraci”. Nëpër pankarta do të përfshihen mbishkrimet “PKK=PYD=YPG=DEASH= FETO”, derisa demonstratat do të organizohen ditën e shtunë në Gjermani, Belgjikë dhe Holandë.
Në demonstratën në Belgjikë do të marrin pjesë Unioni Turk-Islam në Evropë (ATIB), Unioni i Shoqatave Turke, Fondacioni Semershah, Unioni i Demokratëve Turq Evropianë (UETD), Fondacioni i Çështjeve Fetare, Shoqata Biznesmenëve Turq Ndërkombëtarë (UTIAD), Vizioni Kombëtar (Milli Görüş), Qendra Familjare e Këshillimit në Bruksel (FAMIS), etj. Demonstrata do të mbahet në rrugën La Loi në Bruksel, që gjendet pranë ndërtesave të Bashkimit Evropian (BE).
“Ka nevojë për një reagim të këtillë, një demonstratë të këtillë”
Kryetari i Shoqatës së Biznesmenëve Turq Ndërkombëtarë (UTIAD), Mustafa Akgün, theksoi se në demonstrate do të marrin pjesë edhe si anëtarë, por edhe me mbështetje financiare. “Turqit që jetojnë në Evropë janë të indinjuar nga kritikat që nuk kanë lidhje me të vërtetën dhe nga mbështetja që i jepet terrorit. Për këtë arsye, ka nevojë për një reagim të këtillë, një demonstratë të këtillë.”
“Deshëm të shfaqim një qëndrim në formë përgjigjeje”
Kryetari i FAMIS, Tekin Deniz, duke theksuar se ka një propagandë të madhe dhe fushatë njollosjeje kundër Turqisë, tha se “Kjo fushatë e njollosjes po bëhet në mënyrë profesionale me qëllime të caktuara dhe nga qendra të ditura. Krahas kësaj, të gjitha organizatat terroriste, që janë armike të Turqisë, siç janë PKK, DEASH dhe FETO, po përpiqen fuqishëm që ta ngadalësojnë ecurinë e Turqisë. Duke qenë kështu, ne deshëm që në kryeqytetin e Evropës, Bruksel, të shfaqim një qëndrim në formë përgjigjeje. Për këtë arsye do të marrim në demonstratë edhe OJQ-të e tjera."
“Në demonstratë duam t’i shohim të gjithë ata që e duan atdheun dhe kombin”
Përfaqësuesi i Fondacionit Sershah në Belgjikë, Mustafa Çörekçioğlu, theksoi se në demonstratë do të marrin pjesë për t’i dalë zot Turqisë dhe popullit turk. “I ftojmë në demonstratë të gjithë ata që e duan atdheun dhe kombin. Duam t’i shohim në sheshe”, vazhdoi Çörekçioğlu.
Ndërkaq, përfaqësuesi i AK Partisë në Bruksel, Ruhi Açıkgöz tha se ata që e duan Turqinë e kanë ndierë nevojën të mblidhen kundër zhvillimeve të fundit dhe se këtë gjë e kanë parë të rëndësishme. Açıkgöz tha se Përfaqësia e AK Partisë në Bruksel nuk ka marrë pjesë në organizimin e demonstratës, por, siç tha, ai do të jetë i pranishëm në shesh ditën e shtunë. Sipas Açıkgöz, në Turqi ka reagime kundër Evropës, për arsye se qarqet terroriste në mënyrë të lehtë janë duke zhvilluar aktivitete në Evropë.