İdris Okuducu
17 Gusht 2016•Përditësim: 18 Gusht 2016
ERBIL (AA) - Kryetari i Këshillit Kombëtar të Kurdëve të Sirisë (ENKS), Ibrahim Biro, tha se vendet perëndimore anashkalojnë shkeljet e krahut të armatosur të organizatës terroriste PKK në Siri, PYD, raporton Anadolu Agency (AA).
Biro në një deklaratë për gazetarin e AA tha se sulmet e PYD-së ndaj disa partive që janë pjesë të ENKS nuk janë dënuar nga vendet perëndimore dhe se këto vende nuk kanë ngritur zërin për shkeljet e PYD-së ndaj kurdëve.
Biro në fjalën e tij thotë se PYD duke marrë shkas dhe duke përdorur luftën kundër organizatës terroriste DAESH është duke sulmuar disa rajone në veri të Sirisë ku populli i kundërvihet. "Duke përdorur luftën kundër DAESH-it ata kanë kryer sulme të turpshme kundrejt nesh. Veçanërisht kohët e fundit këto sulme janë shtuar. Vendet perëndimore anashkalojnë këto sulme dhe nuk e ngrenë zërin për to. Kjo gjë ka lehtësuar së tepërmi veprimet e tyre", është shprehur Biro.
Duke theksuar se ai do të dërgojë të gjitha shkeljet e PYD-së në përfaqësitë diplomatike të vendeve perëndimore të cilat ndodhen në Erbil, Biro në vijim tha: "Do të dorëzojmë në përfaqësitë e vendeve perëndimore në Erbil të gjitha dokumentet që tregojnë shkeljet e PYD-së. Vendet perëndimore nuk duhet të rrinë duarkryq përpara shkeljeve të kësaj organizate. Kurdët e Sirisë nuk u hodhën në kryengritje që të vijë një tjetër diktator në Damask. Do të dërgojmë dokumente për çdo gjë që kanë bërë."