Burak Bir
30 Dhjetor 2020•Përditësim: 30 Dhjetor 2020
Dy ushtarë sauditë janë vrarë afër kufirit të Mbretërisë me Jemenin, raportuan të martën mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia zyrtare e lajmeve të Arabisë Saudite SPA tha se ushtarët u vranë derisa ishin në detyrë në rajonin Najran në jug të vendit.
As grada e ushtarëve dhe as detaje për kohën dhe rrethanat e vrasjes së tyre nuk u zbuluan.
Një zyrtar i Najran-it u shprehu ngushëllime familjeve të tyre.
Rebelët Huthi të Jemenit shënjestrojnë trupat saudite duke u infiltruar herë pas here në kufi dhe duke lançuar raketa në qytetet kufitare saudite Najran dhe Jizan.
Numri i përgjithshëm i ushtarëve të vrarë në kufi në dhjetor është rritur në nëntë.
Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga sauditët nisi një fushatë ajrore shkatërruese që synonte të rikthente territoret e pushtuara nga Huthit.
Sipas OKB-së, që nga ajo kohë, dhjetëra mijëra jemenas, përfshirë civilë të shumtë, besohet të jenë vrarë në konflikt, ndërsa 14 milionë të tjerë janë në rrezik urie.