Fatjon Cuka
03 Prill 2017•Përditësim: 04 Prill 2017
TIRANË (AA) - Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e katërt të vitit 2016 në Shqipëri vlerësohet me rritje prej 3,97 për qind, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2015, raporton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat rreth Produktit të Brendshëm Bruto i ka publikuar sot në një konferencë për mediat, drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), Delina Ibrahimaj.
Sipas saj, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë që lidhen me tregti-hotele dhe restorante dhe transporti me +0,94 pikë përqindje.
Gjithashtu në këtë rritje kanë kontribuar edhe sektori i ndërtimit, industria, energjia dhe uji, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, etj.
Ndërkohë negativisht ka kontribuar aktiviteti që lidhet me pasuritë e paluajtshme me -0,01 pikë përqindje.
Aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit sipas INSTAT pati një rritje me 1,98 për qind, ndërsa aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit shënoi një rritje me 5,14 për qind.