Mohammad Fahim Abed
02 Shkurt 2016•Përditësim: 03 Shkurt 2016
KABUL (AA) - Federata e Futbollit të Afganistanit ka bërë të ditur se brenda 5 ditësh do të përcaktohet se ku dhe kur do të realizohet takimi mes futbollistit argjentinas dhe yllit të Barcelonës Lionel Messi dhe vogëlushit afgan i cili në internet pati publikuar fotografitë me fanellën e improvizuar nga qesja e plastikës, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Federatës së Futbollit të Afganistanit, Keramuddin Kerim deklaroi se Messi do të takohet me tifozin e vogël afgan Murteza Ahmadi në Spanjë ose në ndonjë shtet tjetër.
"Me aq sa kemi dijeni Messi për shkak të problemeve të sigurisë nuk do të mund të vijë në Afganistan por nëse dëshiron të vijë qeveria afgane do ti ofrojë sigurinë", tha Kerim.
Ai ka theksuar se një kompani afgane e telekomunikimit do të mbulojë shpenzimet e udhëtimit për 5 vjeçarin Murtaza i cili pritet të takohet me Messin. Sipas tij, futbollisti i njohur ka premtuar se do të ndihmojë vogëlushit afgan.
Një javë më parë pasi Ahmadi pati publikuar në internet fotografitë me fanellën e improvizuar nga qesja e plastikës me ngjyrat e kombëtarës së futbollit të Argjentinës ku mbi të shkruhej "Messi" dhe numri "10" nisën iniciativat që tifozi i vogël të takohej me futbollistin Messi.
Vogëlushi afgan pas publikimit të fotove në internet të cilat bënë xhiron e botës ai u bë i njohur si "vogëlushi me fanellën nga qesja e plastikës të Messit".