Sibel Vezaj
24 Janar 2017•Përditësim: 25 Janar 2017
PRISHTINË (AA)- Federata e Futbollit të Kosovës njofton se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka refuzuar si të pabazë kërkesën e Serbisë për anulimin e vendimit për pranimin e FFK-së në UEFA, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga FFK thuhet se Federata e Futbollit të Kosovës ka fituar edhe betejën e fundit kundër federatës serbe, ku CAS-i ka refuzuar si të pabazë kërkesën e Serbisë për anulimin e vendimit për pranimin e FFK-së në UEFA.
“Kjo ishte përpëlitja e fundit serbe që të ndryshojë vendimin, por argumentet tona në UEFA ishin më kokëforta se sa dëshira e Serbisë për ta na ndaluar pranimin tonë. Edhe njëherë u dëshmua se kishim të drejtë dhe CAS-i e njohu vendimin e UEFA-s si të ligjshëm në favorin tonë. Me këtë edhe njëherë iu mbyll goja skeptikëve se gjoja mund të rikthehet vendimi i marrë nga Kongresi i UEFA-s i mbajtur më 3 maj 2016”, thuhet në njoftim nga FFK.
Federata Serbe e Futbollit (FSS) në muajin maj të vitit të kaluar kishte dërguar ankesë ndaj pranimit të Kosovës në UEFA tek CAS-i.
Ndryshe, Kosova me shumicë të votave në Kongresin e UEFA-s që u mbajt në muajin maj të vitit të kaluar fitoi anëtarësinë në UEFA. Ndërkaq me këtë rast kryetari i FSS-së, Tomislav Karaxhiq, ishte shprehur se vendimi ishte politik dhe se futbolli është mposhtur nga politika. Më pas, Kosova arriti të bëhet anëtare edhe në FIFA, duke fituar kështu të drejtën për pjesëmarrje në eleminatoret për Kampionatin Botëror FIFA-s në vitin 2018.