Dejan Maksimoviç
16 Korrik 2016•Përditësim: 18 Korrik 2016
LONDËR (AA) – Kampioni aktual i Anglisë, Leicester City pranoi ofertën e Chelseat për mesfushorin N'gola Kante (25). Që transferi të jetë komplet, ka mbetur që Kante të dakordohet për kushtet personale me klubin e ri, raporton Anadolu Agency (AA).
Leicester i kishte ofruar kontratë të re katër vjeçare lojtarit të kombëtares franceze para se të merrte pjesë në EURO 2016, por ai pas kthimit shprehu dëshirën që të vazhdojë karrierën në "Stamford Bridge".
Sipas mediave britanike "dhelprat" për Kanten do të përfitojnë rreth 38.2 milionë euro dëmshpërblim që është rekord i klubit.
Trajneri i Leicester-it, Claudio Ranieri gjatë javës tha se ai do të donte që të mbante Kanten në klub, por ka mirëkuptim të plotë për dëshirën e tij që të ndryshojë ambient.