Dejan Maksimoviç
24 Shkurt 2017•Përditësim: 25 Shkurt 2017
MANCHESTER (AA) –Leicester City ka shkarkuar mbrëmë trajnerin më të suksesshëm në historinë e klubit, Claudio Ranieri, i cili në sezonin e kaluar në mënyrë sensacionale fitoi titullin e kampionit të Anglisë në futboll, raporton Anadolu Agency (AA).
Lajmi ka tronditur opinionin sportdashës në Britani, pavarësisht rezultateve të dobëta të “Dhelprave” gjatë këtij sezoni, duke ngjallur reagime të trajnerëve të cilët i kanë ofruar mbështetje Ranierit.
Në reagimin e trajnerit të Manchester Unitedit, Jose Mourinho, në rrjetet sociale në të cilin ka dërguar përkrahje për Ranierin e shkarkuar, shkruan se ky është futbolli i të sotmes.
“Kampioni i Anglisë dhe trajneri më i mirë në përzgjedhjen e FIFA-s është shkarkuar. Ky është futbolli i ri Claudio. Mbaje buzëqeshjen mik. Askush nuk mund të fshijë historinë të cilën e ke shkruar”, ka porositur Mourinho përmes Instagramit.
Ranieri largohet në kohën kur Leicester është renditur i 17-ti në Premier Ligë, vetëm një pozicion mbi zonën e cila çon në një rang më poshtë të garave. Në Ligën e Kampionëve, "Dhelprat" kaluan fazën e grupeve.
Në takimin e parë eliminator u mposhtën nga Sevila me rezultatin 1: 2, por kanë një shans në ndeshjen e kthimit e cila do të luhet në Angli.