Dejan Maksimoviç
27 Shkurt 2019•Përditësim: 28 Shkurt 2019
Trajneri i Tottenham Hotspur, Mauricio Pochettino, akoma ndjehet i dëshpëruar nga paraqitja e ekipit të tij në duelin e së shtunës kundër Burnley, në të cilën pësuan humbje me rezultatin 1:2, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pochettino tha se ndjehet i frustruar nga shkaku se ekipi i tij nuk shfaqi dëshirën dhe energjinë siç e kishte Burnley, dhe kjo do të bëjë që Tottenhamit t'i nevojiten ndoshta edhe 10 vjet për të fituar titullin e kampionit të Anglisë.
Me humbjen në fjalë te Burnley "gjelat" lëshuan rastin t'i afrohen liderit të tabelës, Liverpoolit në vetëm tri pikë mbetje, dhe për këtë Pochettino e fajëson ekipin e tij të cilit i mungon shpirti dhe mentaliteti triumfues.
"Nëse doni të jeni një kandidat i vërtetë për titull, pavarësisht nëse luani mirë apo jo, ndeshjet e tilla duhet t'i fitoni. Patjetër të dëshmoni se luftoni për gjëra të mëdha. Jam i frustruar sepse nuk e treguam atë energji si Burnley, nuk kishim ambicie të njëjta si kundërshtari”, tha Pochettino.
"Kjo na nxjerr jashtë nga binarët, për çka do të duhen 5 apo 10 vjet që të ndryshojmë këtë”, shtoi ai.
Tottenhami ka një sfidë të madhe sonte në ndeshjen në Stamford Bridge kundër Chelsea-t, e vlefshme për Premier Ligë.
Pochettino thotë se ndeshjet e tilla janë më të lehta për lojtarët e tij.
"Të shkosh në lojë kundër Chelsea-t ose Arsenalit, është e lehtë, nuk keni nevojë për një trajner që t’iu motivojë. Të shtunën dëshmuam se jemi ekip i mirë por jo mjaftueshëm për të fituar titullin në Premier Ligë. Ky është realiteti ynë”, tha trajneri argjentinas për mediat britanike.
Pas 27 ndeshjeve, Premier Ligën e kryeson Liverpooli me 66 pikë, i ndjekur nga Manchester City me 65, ndërsa Tottenhami është i treti me 60 pikë.