Figen Shaban
17 Mars 2017•Përditësim: 18 Mars 2017
PRISHTINë (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot mori pjesë në inaugurimin e fabrikës së re të ujit të pijshëm në fshatin Shkabaj të Prishtinës. Me funksionalizimin e kësaj fabrike banorët e Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë inaugurimit kryeministri Mustafa, theksoi se me këtë nuk po zgjidhet vetëm problemi i furnizimit të rregullt me ujë të Prishtinës, por edhe të gjashtë komunave që janë të ndërlidhura me këtë ujësjellës rajonal, të cilat për arsye të furnizimit më të madh do të kenë më shumë ujë.
“Është kënaqësi e madhe që ne po zgjidhim problemet më të rënda të qytetarëve, problemin e ujit, problemin e energjisë, atë të ngrohjes, që nuk e kanë rënduar vetëm Prishtinën si komunën më të madhe të Kosovës dhe kryeqendrën e Kosovës, por kanë ngarkuar edhe komunat e tjera”, tha kryeministri Mustafa.
Mustafa po ashtu u shpreh i kënaqur që po merr pjesë në promovimin e një prej investimeve më të mëdha në Kosovë që ka të bëjë me ujin, në këtë rast të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
“Më vjen mirë që Komuna e Prishtinës i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta në shumë prej pesë milionë eurove, programi IPA i Bashkimit Evropian, poashtu Banka Zhvillimore Gjermane prej 20 milionëve dhe kështu, kemi arritur që të realizohen dhe të kryhet përafërsisht në afatin e paraparë”, tha Mustafa.
Kurse, udhëheqësi i Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Ilir Abdullahu gjatë fjalës së tij, objektin e Fabrikës së Re në Shkabaj e ka quajtur objekt me rëndësi të veçantë dhe nga më të mirët në regjionin e Ballkanit. Ai po ashtu, bëri të ditur se projekti i cili u përurua sot është vazhdimësi e projektit të fazës Prishtina – faza e parë, e dytë dhe e tretë.
“Me lëshimin e punës me kapacitet të plotë të këtij impianti do të arrihet një furnizim i qëndrueshëm me ujë për banorët e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit dhe indirekt do të përfitojnë Komuna e Podujevës dhe ajo e Graçanicës, por do të përfitojnë gjithashtu edhe komunat, të cilat ne i menaxhojmë, Drenasi, Lipjani dhe Shtimja. Para nesh janë edhe sfida tjera, si impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, në mënyrë që të kemi një Kosovë shumë më të pastër”, tha Abdullahu.
Të pranishëm në këtë inaugurim ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, përfaqësuesja e BE-së, Nataliya Apostolova si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka harxhuar 5 milionë euro për ndërtimin e fabrikës në fjalë.