Malik Hasa
17 Mars 2017•Përditësim: 18 Mars 2017
SHKODËR (AA) - Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë në bashkëpunim me ambasadat e vendeve të ndryshme të akredituara në Shqipëri ka zhvilluar sot në qytetin e Shkodrës eventin "Dita e hapur: Mundësitë për të studiuar jashtë vendit për studentët dhe të rinjtë në Qarkun e Shkodrës", raporton Anadolu Agency (AA).
Synimi i këtij aktiviteti ishte njohja e studentëve dhe të rinjve të këtij qarku me programet e ndryshme arsimore që ofrohen nga vende të ndryshme dhe procedurat për përfitimin e bursave studimore.
Në një njoftim zyrtar nga MPJ e Shqipërisë thuhet se ky aktivitet organizohet në Shkodër menjëherë pas kryeqytetit, Tiranë.
Gjatë këtij aktiviteti mbajti një fjalë përshëndetëse ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili u shpreh se "Shkodra është qyteti i dijes, e cila ka nxjerrë shumë pena të mprehta të vendit".
"Ky event ofron një mundësi për çdo student dhe nxënës të talentuar dhe për prindërit të cilët bëjnë sakrifica për t'i dhënë një mundësi edukimi fëmijëve të tyre. Duam të ndërtojmë një bazë solide të dhënash për të gjithë studentët të cilët studiojnë jashtë për të jetësuar edukimin e tyre në funksion të përmirësimit dhe zhvillimit të vendit. Kësaj nisme do t'i shtohet dhe një nismë tjetër siç është 'wiki academy' e cila do të jetë në funksion të përmirësimit të imazhit të vendit", theksoi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.