Saimir Alija
04 qershor 2018•Përditësim: 04 qershor 2018
TIRANË (AA) – Këngëtarja me famë botërore Rita Ora mbajti një koncert në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, dy ditë pasi mbajti koncert këngëtari Ermal Meta, raporton Anadolu Agency (AA).
Spektatorë të shumtë kanë mbushur sheshin për të ndjekur këngët e përzgjedhura të Rita Orës. Menjëherë sapo është ngjitur në skenë këngëtarja, publiku shqiptar e ka mirëpritur, duke brohoritur e kërcyer në ritmet e muzikës së saj.
Rita Ora kthehet kështu në Shqipëri pas gjashtë vitesh, duke dhuruar një spektakël për mijëra qytetarë të mbledhur në shesh në koncertin e organizuar me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.
Këngëtarja, aktorja dhe modelja gjithmonë e ka shprehur lidhjen e saj të ngushtë me Shqipërinë dhe Kosovën. Ajo mbajti një koncert në Prishtinë më 18 shkurt të këtij viti me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Ajo është ambasadore nderi e Kosovës dhe e pyetur në çdo dalje publike nuk e ka fshehur kënaqësinë dhe krenarinë e të qenit shqiptare.
Gjatë pasdites, këngëtarja Rita Ora është pritur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Rita (Sahatçiu) Ora ka lindur në vitin 1990 në Prishtinë. Ajo është një këngëtare dhe aktore e cila ka filluar karrierën e saj në Britani të Madhe.