Fatjon Cuka
12 Janar 2017•Përditësim: 12 Janar 2017
TIRANË (AA) - Moti i acartë vazhdon të shkaktojë viktima në Shqipëri, ku gjatë ditëve të fundit kanë humbur jetën disa persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Sot për shkak të temperaturave të ulëta ka humbur jetën një i moshuar në qytetin e Sarandës, duke e rritur në 6 numrin e personave që kanë humbur jetën nga moti i ftohtë, ndërsa duke përfshirë edhe ngjarjet aksidentale ky numër është 9. Policia e Sarandës ka njoftuar se shtetasi me inicialet Zh.T, 61 vjeç, është gjetur i pajetë sot në hyrje të shtëpisë së tij.
Ndërsa pesë persona kanë humbur jetën në ditët e mëparshme në qytete të ndryshme të vendit, si në Durrës, Sarandë, Pogradec, Lushnje, etj.
Për shkak të motit të ftohtë janë anuluar disa fluturime nga Aeroporti Ndërkombëtar "Nënë Tereza".
Ndërkohë si pasojë e reshjeve të dëborës gjatë mbrëmjes së djeshme në Tiranë, Elbasan, Shkodër, ka pasur vështirësi qarkullimi në disa akse rrugore. Moti i keq ka shkaktuar edhe ngjarje aksidentale, ku si pasojë ka patur edhe të vdekur.
Ministria e Mbrojtjes edhe sot pritet të shpërndajë ndihma në zonat e izoluara nga bora.