Malik Hasa
27 Mars 2017•Përditësim: 28 Mars 2017
TIRANË (AA) - Banka e Shqipërisë me mbështetjen e ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka organizuar sot aktivitetin për hapjen e Javës Globale të Parasë, raporton Anadolu Agency (AA).
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, etj.
Sejko gjatë fjalës së tij u shpreh se Shqipëria është prej 5 vjetësh pjesë e hartës së vendeve të përfshira në organizimin e këtij aktiviteti.
"Ashtu si në vitet e mëparshëm edhe kjo Javë e Parasë, nën moton 'Mëso, kurse, fito', i kushtohet tërësisht ndërgjegjësimit të të rinjve mbi rëndësinë e parasë dhe përfshirjes sa më të gjerë të tyre në sistemin ekonomik e financiar të vendit, e pse jo, edhe të rajonit e të globit. Aktivitetet që do të zhvillojmë bashkërisht gjatë kësaj jave, i japin vëmendje të veçantë frymëzimit të fëmijëve dhe të të rinjve për të mësuar më shumë rreth parasë, kursimit, krijimit të mirëqenies, shtimit të punësimit dhe sipërmarrjes", theksoi në fjalën e tij guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Java e Parasë është një nismë mbarëbotërore, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve për të qenë qytetarë të përgjegjshëm dhe të aftë financiarisht.
Me rastin e Javës të Parasë, në datat 27–31 mars 2017, Banka e Shqipërisë, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Shërbimit Kombëtar për Rininë, etj, kanë hartuar një program me aktivitete edukuese për fëmijë dhe të rinj.