Fatjon Cuka
10 shtator 2021•Përditësim: 12 shtator 2021
Legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti, ka filluar sot punimet me seancën e konstituimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Seanca e parë e Legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është hapur nga deputetja më e vjetër e kësaj legjislature, Luljeta Bozo, që është zgjedhur deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës.
Në seancë janë lexuar emrat e të gjithë deputetëve të rinj dhe më pas është ngritur komisioni i verifikimit të mandateve të deputetëve.
Seanca do të rifillojë përsëri sot dhe pas verifikimit të mandateve dhe pas betimit të deputetëve do të vazhdojnë procedurat për zgjedhjen e drejtuesve të Kuvendit të Shqipërisë.
Pas konstituimit të Kuvendit, do të caktohet seancë e re për prezantimin e programit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe për votimin e përbërjes së qeverisë së re.
I pranishëm në seancën e parë ishte edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pas shpalljes së tij "person non grata" nga SHBA-ja, ndërkohë ai u prit jashtë selisë së seancave parlamentare nga mbështetës të tij.
Fituese e zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti rezultoi Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, e cila ka siguruar mandatin e tretë qeverisës, duke fituar 74 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Në vend të dytë u rendit koalicioni i udhëhequr nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), duke fituar 59 mandate. Partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), fitoi 4 mandate, ndërkohë, 3 mandate i ka fituar edhe Partia Socialdemokrate (PSD), e cila ka konkurruar më vete.