Samir Kajoševic
27 Nëntor 2019•Përditësim: 27 Nëntor 2019
Kryeqyteti i Malit të Zi, Podgorica, do të dhurojë 20 mijë euro për sanimin e dëmeve të tërmetit në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Komunës së Podgoricës, Ivan Vukoviç në seancën e sotme të Këshillit të Komunës tha se do të ndihmojnë Shqipërinë.
"Në përputhje me vendimin për fondet në disponim të rezervave aktuale dhe të përhershme të kryeqytetit dhe duke u bazuar në dakordimin me kryetarin e Këshillit të kryeqytetit, vendosa që Tiranës deri në fund të javës t'i paguaj 20 mijë euro", ka thënë Vukoviç.
Ai paralajmëroi se një numër i pjesëtarëve të Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Podgoricës do të nisen për në Shqipëri, ashtu që së bashku me kolegët e tyre nga komunat tjera në ditët në vijim të ndihmojnë në sanimin e dëmeve nga tërmeti.
Një ndihmë prej 3.000 eurosh dje Shqipërisë i dhuroi Komuna e Tuzit, e cila u bëri thirrje qytetarëve të ndajnë para për të ndihmuar Shqipërinë.